ILIR BEQAJ PRETENDON SE ËSHTË I PAFAJSHËM/ ISH-MINISTRI RENDIT 16 PARREGULLSI NË HETIMIN E SPAK

ILIR BEQAJ PRETENDON SE ËSHTË I PAFAJSHËM/ ISH-MINISTRI RENDIT 16 PARREGULLSI NË HETIMIN E SPAK

Ilir Beqaj është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke pretenduar se procedimi penal ndaj tij është shoqëruar me një sërë shkeljesh procedurale dhe parregullsish ligjore.

Gjatë deklaratës në sallën e gjyqit, Beqaj u shpreh se procesi hetimor ndaj tij “ka kaluar nga parregullsia në parregullsi”.

“Akuza ndaj meje nuk është bindje e prokurorit. Nga fillimi i procedimit deri më 28 maj 2025, ky procedim ka kaluar nga parregullsia në parregullsi. Deklarohem i pafajshëm për akuzën”, deklaroi ai.

Ish-ministri renditi 16 parregullsi që sipas tij kanë shoqëruar hetimin, duke përmendur pengesa për mbrojtjen efektive, mungesën e njoftimit të Avokaturës së Shtetit dhe hetime të kryera jashtë afateve ligjore.

Sipas Beqajt, SPAK i ka kufizuar të drejtën për mbrojtje, pasi atij dhe avokatëve iu është dhënë vetëm një ditë kohë për të shqyrtuar rreth 700 volume të dosjes hetimore.

“Vetë SPAK mundësinë për t’u njohur me dosjen na e dha vetëm një ditë. 700 volume për t’u parë për 7 orë”, u shpreh ai.

Beqaj pretendoi gjithashtu se hetimet për kontratat koncesionare kishin nisur vite më parë dhe ishin pushuar nga Prokuroria e Tiranës, çka sipas tij përbën “gjë të gjykuar”.

Mes pretendimeve të tjera, ai përmendi edhe kontrollin e llogarive bankare të tij dhe familjarëve, të cilin e konsideron si veprimin e parë hetimor ndaj tij dhe argumenton se hetimet e mëpasshme janë kryer jashtë afateve ligjore.

Ish-ministri kritikoi edhe vendimin për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, duke deklaruar se ndaj tij është krijuar një “gjyq publik”.

“Jam personi që sa herë jam pyetur, kam qëndruar më gjatë se çdokush. Deri në 10 orë”, tha Beqaj.

Ai shtoi gjithashtu se nuk ishte njoftuar për një zgjatje të hetimeve në janar të vitit 2023, duke pretenduar se kjo i ka mohuar të drejtën për ta ankimuar vendimin.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *