Presidenti amerikan Donald Trump reagoi pas sulmit vdekjeprurës të ndodhur në një xhami islamike në San Diego, California, duke e cilësuar ngjarjen si një “situatë të tmerrshme”.
I pyetur nga gazetarët në White House, Trump deklaroi se kishte marrë informacionet e para mbi incidentin dhe se autoritetet do ta shqyrtojnë rastin me kujdes.
“Kjo është një situatë e tmerrshme. Ata më dhanë disa informacione fillestare, por ne do ta shqyrtojmë situatën nga afër”, u shpreh presidenti amerikan.
Sulmi ndodhi në xhaminë më të madhe të San Diegos, ku dy persona të armatosur hapën zjarr, duke lënë tre viktima. Sipas raportimeve, pak kohë pas ngjarjes, dy autorët e dyshuar u gjetën të vdekur në një distancë të shkurtër nga vendi i sulmit.
Deri më tani, motivet e këtij sulmi mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet amerikane vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
