Një efektiv policie ka mbetur i plagosur me armë zjarri gjatë natës në Tiranë, në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet. I plagosur ka mbetur Anxhelo Kumaraku, agjent pranë Komisariatit nr. 4, i cili është qëlluar në këmbë pranë banesës së tij.
Sipas raportimeve paraprake, në momentin e ngjarjes polici ndodhej i shoqëruar nga një komshi i tij. Ky i fundit rezulton të ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje, por dyshohet se kishte thyer vendimin e gjykatës duke dalë nga banesa.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se objektiv i atentatit dyshohet të ketë qenë pikërisht komshiu i efektivit, për shkak të konflikteve të mundshme që lidhen me pazare droge. Plagosja e policit mendohet të ketë ndodhur në rrethana të ndërhyrjes aksidentale gjatë sulmit.
Ndërkohë, mbetet e paqartë arsyeja pse efektivi Kumaraku shoqëronte një person që ndodhej në arrest shtëpie, si edhe pse nuk kishte njoftuar strukturat e policisë për shkeljen e masës së sigurisë nga ana e tij.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Gjendja shëndetësore e efektivit raportohet jashtë rrezikut për jetën.
