Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar marrjen e 9 mostrave nga lëndë të para dhe produkte të gatshme ushqimore, në kuadër të kontrolleve të sigurisë ushqimore.
Sipas analizave të kryera në laboratorin e referencës ISUV, 8 prej mostrave rezultuan brenda normave të lejuara, ndërsa një mostër makarona e gatshme doli jashtë standardeve.
Mostra problematike ishte marrë në kuzhinën e Akademia e Sigurisë dhe rezultoi me ngarkesë mbi normë të baktereve Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulazë pozitive.
Për këtë arsye, AKU ka vendosur ndërprerjen e aktivitetit për subjektin “SORI-AL”, me administratore Alma Tafani, si dhe ka vendosur një gjobë prej 1.5 milionë lekësh për tregtim ushqimi të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare.
Njoftimi i AKU
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të informimit publik dhe transparencës bën me dije, se referuar çështjes për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk, nga AKU janë kampionuar nëntë mostra (lëndë të para dhe produkte të gatshme).
Nga laboratori i Referencës ISUV informohemi se tetë mostra të kampionuara kanë dalë brenda normave dhe një kampion makarona produkt i gatshëm ka rezultuar jokonform për ngarkesë mbi norme Escherichia.Coli dhe B staphylococcus koagulaze pozitive, mostër kjo e kampionuar në kuzhinën brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk.
Për këto gjetje AKU mori masën e ndërprerjes së aktivitetit, deri në plotësimin e kërkesave ligjore nga OBU për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.
Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë, në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku është kryer prodhimi i këtyre produkteve, referuar konstatimeve të institucioneve shëndetësore, mbi raportin përfundimtar të hetimit epidemiologjik për rezultatet jokonforme për tregues të higjenës, evidentuar në kampionët në ruajtje si dhe në disa prej pajisjeve të punës,
AKU mori masa për ndërprerjen e aktivitetit të subjektit SORI-AL edhe në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura.
Gjithashtu u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 1,500,000 lekëve për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare.
Subjektit iu la detyrë marrja e masave për kryerjen e procedurës së asgjësimit referuar produktit të bllokuar rezultuar jo konform.
