Cilësia e punës nuk përcaktohet vetëm nga paga, por nga një kombinim faktorësh që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën profesionale dhe personale të individit. Përveç të ardhurave, elementë si orari i punës, siguria në punë, autonomia, ngarkesa, mjedisi social dhe kushtet fizike konsiderohen vendimtare për mirëqenien e punonjësve.
Sipas studimit më të fundit të Eurofound, një projekt i Komisioni Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor raportojnë mesatarisht nivelet më të ulëta të cilësisë së punës në Europë, ndërsa Shqipëria renditet ndër vendet me performancën më të dobët në disa tregues kyç.
Raporti bazohet në Anketën Europiane për Kushtet e Punës 2024, e realizuar në 35 vende dhe me mbi 36 mijë intervista ballë për ballë.
Shqiptarët ndër më të pakënaqurit me të ardhurat
Sipas raportit, punonjësit shqiptarë shfaqin pakënaqësinë më të madhe në lidhje me të ardhurat. Shqipëria renditet në fund të listës së bashku me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, me vetëm 53 pikë, krahasuar me mesataren europiane prej 58 pikësh.
Studimi evidenton gjithashtu se 39% e punonjësve shqiptarë deklarojnë se kanë vështirësi ose shumë vështirësi për të mbyllur muajin, niveli më i lartë në Europë. Mesatarja europiane është vetëm 8%.
Shqipëria ndër vendet me cilësinë më të ulët të kohës së punës
Në treguesin e cilësisë së kohës së punës, Shqipëria renditet e parafundit në Europë me 64 pikë, nga 75 që është mesatarja europiane, duke lënë pas vetëm Malin e Zi.
Ky tregues mat kohëzgjatjen e orarit të punës, fleksibilitetin, parashikueshmërinë dhe kontrollin që punonjësit kanë mbi kohën e tyre.
Mjedis social dhe fizik problematik
Raporti evidenton se punonjësit shqiptarë punojnë në një mjedis social negativ, ku Shqipëria renditet sërish e parafundit me 73 pikë, përpara vetëm Malit të Zi.
Edhe për mjedisin fizik të punës, Shqipëria paraqitet ndër vendet më problematike në Europë, me 70 pikë, ndërsa vetëm Kosova renditet më poshtë.
Mungesë perspektive dhe ngarkesë e lartë
Për sa i përket perspektivës në punë, punonjësit shqiptarë raportojnë mungesë sigurie dhe zhvillimi profesional, me 72 pikë kundrejt 75 që është mesatarja europiane.
Ndërkohë, intensiteti i punës konsiderohet relativisht i lartë. Shqipëria ka 60 pikë në këtë tregues, nga 67 që është mesatarja europiane, duke reflektuar ritëm të lartë pune dhe presion në vendin e punës.
Shqiptarët besojnë më shumë te aftësitë e tyre
Treguesi ku Shqipëria paraqitet më mirë është ai i aftësive dhe autonomisë në punë. Punonjësit shqiptarë morën 55 pikë, shumë pranë mesatares europiane prej 57 pikësh, duke lënë pas disa vende europiane si Spanja, Italia, Portugalia dhe Greqia.
Sipas raportit, ky tregues lidhet me mundësinë që punonjësit kanë për të përdorur dhe zhvilluar aftësitë e tyre, si dhe me lirinë në vendimmarrje dhe trajnimet profesionale.
Raporti i Eurofound thekson se cilësia e lartë e punës lidhet drejtpërdrejt me kënaqësinë në jetë, motivimin, produktivitetin dhe shëndetin e punonjësve, ndërsa kushtet e dobëta rrisin pasigurinë dhe gjasat për largim nga puna.
Burimi: Monitor.
