Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar gjatë një vizite në Pekin se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë ndër më të rëndësishmet në historinë e njerëzimit.
Ai u shpreh se takimet me delegacionin kinez kanë qenë “shumë pozitive dhe produktive”, ndërsa e cilësoi pritjen në Kinë si madhështore dhe vizitën një nder të madh. Trump theksoi gjithashtu se të dy vendet kanë lidhje të “pasura dhe të qëndrueshme”.
Nga ana tjetër, presidenti kinez Xi Jinping theksoi se SHBA dhe Kina duhet të jenë partnerë dhe jo rivalë, duke shtuar se zhvillimi i të dy vendeve mund të ecë paralelisht dhe të sjellë përfitime globale.
Xi u shpreh se bashkëpunimi mes dy fuqive të mëdha duhet të shërbejë për rritjen e mirëqenies globale dhe për forcimin e stabilitetit ndërkombëtar.
