Trajneri i Lazio, Maurizio Sarri, është shfaqur shumë i irrituar pas humbjes në finalen e Kupës së Italisë ndaj Inter Milan, por zemërimi i tij nuk lidhej vetëm me rezultatin.
Tekniku italian ka shpërthyer kundër Ligës së Serie A për shkak të pasigurisë rreth zhvillimit të derbit ndaj Roma. Sfida fillimisht ishte caktuar nga prefekti i Romës për t’u luajtur të hënën në mbrëmje, në mënyrë që të mos përplasej me turneun e tenisit në kryeqytet. Megjithatë, Liga po kërkon që ndeshja të zhvillohet të dielën në orën 12:30, paralelisht me takimet e skuadrave që luftojnë për zonën Champions.
Kjo ide nuk i ka pëlqyer aspak Sarrit, i cili reagoi në mënyrën e tij karakteristike.
“Ndjesia që kam? Ndjesia është që të hënën vij, të dielën në orën 12:30 nuk vij. Në atë orë të luajnë ata. Rrëmuja vjen nga një sërë gabimesh të bëra nga Liga. Prefekti ishte i qartë, shpresojmë të jetë ajo data.
Po të isha unë presidenti, as nuk do ta çoja ekipin. Ka skuadra që luajnë për Ligën e Kampioneve, që vlen 80 milionë euro dhe luhet në 12:30? Ky nuk është futboll!”, deklaroi Sarri pas finales.
