Alisha Lehmann është vlerësuar si lojtare e sezonit (MVP), një vendim që ka shkaktuar polemika të shumta në rrjetet sociale dhe në opinionin sportiv.
Futbollistja zvicerane u zgjodh nga tifozët si më e mira e sezonit, pavarësisht se ka regjistruar vetëm 9 paraqitje dhe ka shënuar një gol në rreth 400 minuta lojë.
Vendimi ka ngjallur reagime të shumta online, ku shumë përdorues kanë vënë në dyshim kriteret e votimit dhe mënyrën se si është dhënë çmimi. Komentet kritike janë fokusuar kryesisht te fakti se vlerësimi mund të jetë ndikuar më shumë nga popullariteti i saj në rrjetet sociale sesa nga performanca në fushë.
“Jeni të sigurt që kanë votuar për këtë…?”, janë ndër reagimet më të përsëritura në platformat online, duke theksuar debatet e hapura mbi objektivitetin e çmimeve të tilla të bazuara në votimin e tifozëve.
Lehmann, e njohur edhe për ndjekjen e madhe në rrjetet sociale, mbetet një nga figurat më të komentuara në futbollin e femrave, shpesh në qendër të vëmendjes si për aktivitetin sportiv ashtu edhe për praninë e saj publike.
