Gjykata e Posaçme i refuzoi të hënën Ilir Metës kërkesën e radhës për lirim nga burgu. Në seancën ku nuk ishte i pranishëm Meta, avokati nuk i ndryshoi dot mendimin gjykatës, ndonëse iu referua edhe vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë për kriteret e masës “arrest në burg”.Fill më pas, në një tjetër seancë, gjykata e ndau në dy pjesë dosjen “Meta-Kryemadhi”, por pa cenuar çiftin e ish-bashkëshortëve. Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, dhe ish-deputetja Monika Kryemadhi do të gjykohen bashkë në një proces të veçuar nga të bashkëpandehurit Ema Çoku, Fatime Kryemadhi dhe Pirro Xhixho. Për këta të fundit u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar.Vendimi u mor pasi gjykata deklaroi të çelur shqyrtimin gjyqësor dhe dëgjoi akt-akuzën ndaj të pandehurve, seancë e shoqëruar me momente të forta tensioni.Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, ngriti zërin drejt gjykatës, pasi ajo urdhëroi kamerat televizive të linin sallën. Duke kërkuar transmetim të plotë të procesit, mbrojtësi ironizoi sallat e reja të gjykatës, të inauguruara po atë ditë.“Ku e keni dinjitetin me këto sallat e reja? Ja ku janë tenderat. Presidenti në kafaz. Me kë talleni ju? S’jemi budallenj”, tha avokati i Metës, të cilit i doli në krah edhe ish-bashkëshortja e klientit të tij.“Sallat janë tipike amerikane, por ka një ndryshim: edhe vrasësit serialë atje ulen me avokatin përkrah”, u shpreh Kryemadhi.Nga kafazi i xhamtë, vetë Meta ndërhyri disa herë teksa prokurori Kllapi lexoi aktakuzën, qoftë për saktësime, por edhe për sqarime. “Unë kam statusin i divorcuar. Të mos mbaj përgjegjësi për çfarë ka bërë Kryemadhi në të kaluarën pa dijeninë time. Përgjegjësia ime është individuale. Më trego një shpenzim që kam bërë unë. Edhe orën e kam para 20 vitesh. Nuk u kushtoj shumë rëndësi këtyre”, tha Meta.Ndërsa kur u lexua nga prokurori një SMS i Metës dërguar kreut të DIA-s, Kastriot Ismailaj, me tekst “më duhen 200 mijë, mos harro”, avokati ndërhyri duke thënë se bëhej fjalë për 200 mijë bluza, pasi ishte kohë fushate.Pas veçimit të dosjes, trupa gjykuese e kryesuar nga Etleva Deda do të vijojë gjykimin me procedurë të shkurtuar, ndërsa dosja ndaj Metës dhe Kryemadhit do të rihidhet në short.

