Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) ish-oficerin e Policisë Gjyqësore, Igli Haxhiaj.
Ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë shpërdorim detyre, zbulim të akteve dhe të dhënave sekrete hetimore, si dhe korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
Sipas SPAK, hetimet ndaj Haxhiaj janë pjesë e një dosjeje më të gjerë që lidhet me një grup të strukturuar kriminal, i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, kryesisht nga Amerika e Jugut drejt Europës dhe më pas transportim drejt Italisë përmes automjeteve të rënda.
Hetimet e vitit 2019, të realizuara me përgjime telefonike dhe vëzhgime, kanë nxjerrë në pah se Haxhiaj, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore, ka qenë i përfshirë në komunikime me një nga të dyshuarit, shtetasin D.M., të cilit dyshohet se i ka zbuluar informacione të brendshme hetimore, përfshirë edhe detaje nga përgjimet.
SPAK bën me dije se këto të dhëna janë dhënë në këmbim të përfitimeve financiare, rreth 15 mijë euro, përmes komunikimeve të koduara në aplikacionin SKY ECC.
Gjithashtu, nga analizimi i këtyre komunikimeve, sipas Prokurorisë, ka rezultuar se Haxhiaj ka diskutuar me persona të ndryshëm mbi lëndë narkotike, çmime dhe mënyra tregtimi, pa i referuar këto informacione dhe pa nisur procedim penal, siç ishte i detyruar ligjërisht.
SPAK thekson se këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të detyrës dhe cenim të integritetit të hetimeve penale, duke e çuar çështjen tashmë për shqyrtim në gjykatë.
