Rastet e infeksioneve me Hantavirus po rikthejnë vëmendjen e autoriteteve shëndetësore në mbarë botën, për shkak të rrezikut që paraqet për jetën e njeriut.
Hantavirusi është një virus që transmetohet kryesisht nga brejtësit, veçanërisht minjtë, përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet apo pështymën e tyre. Infektimi tek njerëzit ndodh zakonisht kur thithen grimca të kontaminuara në ajër, por mund të ndodhë edhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë ose pickimit.
Sëmundja që shkakton ky virus mund të shfaqet në dy forma kryesore: sindroma pulmonare nga hantavirusi, që prek mushkëritë dhe mund të jetë fatale, dhe forma hemorragjike me sindromë renale, që ndikon në funksionin e veshkave.
Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh dhe të vjella. Në raste më të rënda, pacientët mund të zhvillojnë vështirësi në frymëmarrje dhe komplikacione serioze që kërkojnë trajtim të menjëhershëm spitalor.
Sipas ekspertëve, nuk ka një trajtim specifik antiviral për hantavirusin, ndaj diagnostikimi i hershëm dhe kujdesi intensiv janë thelbësorë për mbijetesën e pacientëve.
Autoritetet shëndetësore këshillojnë shmangien e kontaktit me brejtësit, pastrimin me kujdes të ambienteve të kontaminuara dhe përdorimin e mjeteve mbrojtëse në zona ku ka prezencë të lartë të tyre.
Edhe pse rastet janë relativisht të rralla, Hantavirus mbetet një kërcënim serioz për shëndetin publik për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë në format e rënda të sëmundjes.
