Kartelet meksikane të drogës dyshohet se kanë gjetur një mënyrë të pazakontë për të kryer pagesa dhe për të shmangur sistemin tradicional financiar: përdorimin e kastravecave të detit.
Sipas “Foreign Policy”, trafikantët përdorin kastraveca deti të tharë për të shlyer detyrimet ndaj furnizuesve kinezë të kimikateve, duke krijuar një mekanizëm shkëmbimi që e vështirëson gjurmimin e transaksioneve.
Zgjedhja e këtij produkti lidhet me vlerën e lartë që ai ka në tregjet aziatike. Kastravecat e detit konsiderohen një delikatesë dhe, në raste të caktuara, një kilogram mund të arrijë deri në 3 mijë dollarë. Kjo u mundëson rrjeteve kriminale të transferojnë vlera të konsiderueshme përmes sasive relativisht të vogla të mallit.
Një prej rasteve të përmendura lidhet me Cesar Daleo, ish-oficer i Patrullës Kufitare të SHBA-së, i cili dyshohet se ka vepruar si ndërmjetës në këtë skemë.
Sipas të dhënave të raportuara, gjatë viteve 2014–2016, Daleo organizoi të paktën 80 dërgesa me kastraveca deti nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara, me një vlerë totale që tejkalonte 250 mijë dollarë.
Rasti ilustron mënyrat e pazakonta që përdorin rrjetet kriminale për të transferuar vlerë përtej kufijve, duke zëvendësuar transfertat bankare ose paratë cash me mallra të rralla dhe me vlerë të lartë në tregjet ndërkombëtare.

