Juventus po përgatitet për një ristrukturim të rëndësishëm në repartin ofensiv, pasi sulmuesi serb Dušan Vlahović nuk do të jetë më pjesë e planeve të ardhshme të klubit, sipas mediave italiane.
Raportohet se palët nuk kanë arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës, duke i dhënë fund bashkëpunimit pas katër viteve e gjysmë. Kontrata e sulmuesit përfundon më 30 qershor, ndërsa negociatat janë mbyllur pa akord.
Shkak kryesor për ndarjen mes palëve janë kërkesat ekonomike të lojtarit. Vlahović kërkonte një pagë prej rreth 8 milionë euro në sezon, së bashku me komisione të larta për ndërmjetësit dhe një bonus të konsiderueshëm në momentin e firmës.
Nga ana tjetër, Juventusi kishte ofruar rreth 6 milionë euro në sezon, të shoqëruara me bonuse të lidhura me paraqitjet dhe objektivat sportive, por pa përfshirë kërkesat e tjera financiare.
Si pasojë, palët kanë vendosur të ndjekin rrugë të ndryshme, me sulmuesin që pritet të kërkojë një destinacion të ri në merkato dhe me klubin bardhezi që tashmë do të fokusohet në përforcimin e repartit të sulmit.
Largimi i Vlahović përbën gjithashtu një humbje ekonomike për Juventusin, i cili kishte investuar rreth 70 milionë euro plus bonuse për transferimin e tij nga Fiorentina.
