IFAB ka konfirmuar se ndryshimet e reja në rregulloren e futbollit hyjnë zyrtarisht në fuqi nga 1 korriku dhe do të aplikohen në të gjitha kompeticionet ndërkombëtare dhe kombëtare, përfshirë edhe kampionatet vendase si Abissnet Superiore.
Ndryshimet synojnë kryesisht përshpejtimin e lojës, rritjen e qartësisë në vendimmarrje dhe uljen e vonesave gjatë ndeshjeve.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me sjelljen e lojtarëve që largohen nga fusha ose nxiten për protesta, ku parashikohet ndëshkim me karton të kuq për protagonistët e këtyre situatave.
Sipas Ligjit 3, një ndeshje nuk mund të vazhdojë nëse një skuadër ka më pak se shtatë lojtarë, ndërsa në disa raste specifike parashikohen edhe humbje në tavolinë nëse përgjegjësia i takon një ekipi. Gjithashtu, rritet numri i zëvendësimeve në ndeshjet miqësore të kombëtareve dhe vendoset një afat prej 10 sekondash për largimin e lojtarit të zëvendësuar nga fusha.
Në Ligjin 5, zgjerohet përdorimi i teknologjisë VAR dhe sistemeve ndihmëse si gjysmë-automatikja e pozicionit jashtë loje, ndërsa parashikohet edhe përdorimi i kamerave trupore për zyrtarët e ndeshjes në disa gara.
Ndryshime prekin gjithashtu procedurat e ndërprerjes së lojës, trajtimet mjekësore në fushë, si dhe sqarime për zbatimin e avantazhit dhe rivënieve në lojë.
Në Ligjin 12, rregullohet ndëshkimi për raste të DOGSO, ndërsa në disa situata hiqet kartoni i verdhë automatik kur shënohet gol pas avantazhit. Po ashtu, përfshihen masa të reja disiplinore për sjellje provokuese ose protesta të lojtarëve.
Ndryshime prekin edhe ekzekutimin e penalltive, rivëniet anësore, goditjet nga porta dhe goditjet nga këndi, ku vendosen afate kohore të qarta për shmangien e vonesave, si dhe ndëshkime në rast shkeljeje.
VAR-i do të ketë kompetenca më të zgjeruara për rishikimin e vendimeve kyçe, përfshirë kartonët e kuq të dhënë gabimisht, identitetin e lojtarëve dhe disa situata të goditjeve standarde.
Sipas IFAB, këto ndryshime synojnë të rrisin ritmin e lojës, të ulin subjektivitetin e vendimeve dhe të përmirësojnë transparencën në gjykim.

