ZGURO LARGOHET NGA POGRADECI: “BARRËN MA LANË MUA”

ZGURO LARGOHET NGA POGRADECI: “BARRËN MA LANË MUA”

Mbrojtësi dhe kapiteni i Pogradecit, Vangjel Zguro, ka njoftuar largimin nga klubi liqenor në një moment të rëndësishëm të sezonit, teksa skuadra po përgatitet për fazën “playoff”.

Disa javë më parë, Zguro ishte shprehur optimist për objektivat e ekipit, duke deklaruar se Pogradeci mund të siguronte ngjitjen në Superiore pa pasur nevojë për ndeshje shtesë. Megjithatë, situata ka ndryshuar ndjeshëm pas zhvillimeve të fundit brenda skuadrës.

Gjithçka u tensionua pas humbjes së një penalltie në ndeshjen ndaj Laçit, e cila u pasua me një debat mes lojtarit dhe trajnerit Çela. Pas këtij episodi, Zguro u përjashtua nga ekipi dhe më pas vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me klubin.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai u shpreh se ka dhënë maksimumin gjatë kohës së tij në Pogradec, por u ndje i zhgënjyer nga mënyra si u trajtua situata pas ndeshjes.

“Kam dhënë 100% që kur kam ardhur në Pogradec. Penalltia e humbur ndaj Laçit ishte një nga momentet më të vështira për mua. Kam mbetur shumë i zhgënjyer për mënyrën si u trajtua ai koment. Në vend që përgjegjësia të ndahej si në çdo ekip, barra më mbeti vetëm mua. Tashmë është koha për një kapitull të ri”, ka shkruar Zguro.

Largimi i tij vjen në një moment vendimtar për klubin, që pritet të hyjë në fazën më të rëndësishme të sezonit.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *