TRE SULME TË KOORDINUARA NË SELANIK, SHËNJESTROHEN BANESAT E DREJTUESVE TË DEMOKRACISË SË RE; PESË TË PLAGOSUR

TRE SULME TË KOORDINUARA NË SELANIK, SHËNJESTROHEN BANESAT E DREJTUESVE TË DEMOKRACISË SË RE; PESË TË PLAGOSUR

Tre sulme të koordinuara me mjete zjarrvënëse janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Selanik, duke pasur në shënjestër banesat e tre drejtuesve të partisë greke Demokracia e Re (ND).

Si pasojë e ngjarjeve, pesë persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa një grua 70-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Sipas autoriteteve greke, objektivat e sulmeve kanë qenë banesat e kryetarit të Komitetit Drejtues të ND-së në Selanik, Zisis Ioakeimoviç, ish-deputetit Savvas Anastasiadis dhe politikanes Aphrodite Nestora. Hetuesit dyshojnë se autorët kanë lëvizur me motoçikleta dhe kanë kryer sulmet brenda një intervali kohor më të shkurtër se 20 minuta.

Incidenti më i rëndë është regjistruar në zonën Harilaou rreth orës 04:35, ku një zjarr i shkaktuar nga një bombol gazi është përhapur në dy automjete dhe dy motoçikleta. Një prej automjeteve i përkiste Aphrodite Nestorës.

Nëna 70-vjeçare e saj ka pësuar djegie të rënda dhe po trajtohet e intubuar në repartin e terapisë intensive në Spitalin Ippokrateio. Vetë politikania ka pësuar djegie të lehta, ndërsa babai i saj dhe dy banorë të tjerë janë dërguar për trajtim për shkak të problemeve në frymëmarrje.

Pak minuta më herët, në zonën Tumba, një tjetër bombol gazi ka shpërthyer në hyrje të një pallati ku banon ish-deputeti Savvas Anastasiadis, duke shkaktuar dëme materiale por pa të lënduar.

Ndërkohë, sulmi i parë është regjistruar në Pylaia, ku një bombol gazi është vendosur dhe aktivizuar pranë një banese që më parë është përdorur nga Zisis Ioakeimoviç. Në këtë rast nuk janë raportuar dëme.

Hetimet janë marrë në dorë nga Shërbimi Antiterrorizëm i Greqisë, i cili po shqyrton mundësinë që ngjarjet të jenë pjesë e një plani të organizuar dhe të koordinuar kundër figurave politike të Demokracisë së Re.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *