Uashington dhe Teheran pritet të nënshkruajnë të premten në Zvicër një memorandum mirëkuptimi që synon të hapë rrugën për një proces negociatash 60-ditor për përfundimin e konfliktit dhe kufizimin e programit bërthamor iranian.
Sipas draftit 14-pikësh të raportuar nga Bloomberg, marrëveshja parashikon ndërprerje të menjëhershme të armiqësive, respektim të sovranitetit reciprok dhe angazhime për shmangien e çdo veprimi ushtarak mes palëve.
Një nga elementët kryesorë të dokumentit është rivendosja e lundrimit të plotë në Ngushticën e Hormuzit, si dhe heqja graduale e kufizimeve ekonomike dhe sanksioneve ndaj Iranit.
Drafti përfshin gjithashtu një paketë të madhe ekonomike për rindërtim, me vlerë të raportuar rreth 300 miliardë dollarë, si dhe lehtësim të menjëhershëm të eksporteve iraniane të naftës dhe sektorit financiar.
Në aspektin bërthamor, palët theksojnë se Irani nuk do të pajiset me armë bërthamore, ndërsa detajet teknike për programin do të përcaktohen në marrëveshjen përfundimtare.
Dokumenti parashikon gjithashtu krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar monitorimi dhe miratimin e marrëveshjes finale përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

