Napoli po vazhdon të lëvizë aktivisht në tregun e transferimeve, në pritje të nisjes së epokës së re me Massimiliano Allegri-n në stol, me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese për kreun e Serie A.
Edhe para zyrtarizimit të largimit të Antonio Conte-s, drejtori sportiv Giovanni Manna kishte nisur punën për përforcimin e disa reparteve kyçe, përfshirë mbrojtjen, krahët e mesfushës dhe sulmin.
Sipas “Team Talk”, një nga emrat që ka hyrë në listën e objektivave është sulmuesi anësor i West Ham-it, Crysencio Summerville. 24-vjeçari, i grumbulluar edhe me përfaqësuesen e Holandës për Botërorin, pritet të largohet nga klubi anglez pas rënies së West Ham-it në Championship.
Ish-lojtari i Leeds United ka regjistruar 7 gola dhe 5 asistime në të gjitha kompeticionet këtë sezon, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane.
Vlera e tij në treg raportohet rreth 40 milionë euro, ndërsa Napoli thuhet se është i gatshëm të investojë këtë shumë për të mposhtur konkurrencën e Milanit dhe Romës në garën për firmën e tij.
E ardhmja e lojtarit mbetet e hapur, por gara për të pritet të ashpërsohet në javët e ardhshme të merkatos.
