Një valë e pazakontë të nxehti që ka përfshirë Francën gjatë ditëve të fundit ka shkaktuar një rritje të konsiderueshme të vdekjeve, kryesisht në mesin e personave të moshuar.
Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet shëndetësore, rreth 85% e viktimave janë persona mbi 65 vjeç, me rastet më të shumta të regjistruara në rajonin Île-de-France, që përfshin edhe kryeqytetin Paris.
Situata në disa zona urbane është përkeqësuar ndjeshëm, duke shkaktuar mbingarkesë të morgjeve dhe shërbimeve funerale. Sipas raportimeve, kapacitetet në disa shtëpi funerale në Paris janë aktualisht të tejmbushura, ndërsa trupat po transferohen në rajone të tjera ose po shqyrtohet përdorimi i ambienteve shtesë për ruajtje, siç ka ndodhur edhe gjatë pandemisë së COVID-19.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme franceze raporton gjithashtu dhjetëra viktima nga mbytjet në lumenj dhe liqene, kryesisht të rinj të moshës 15–25 vjeç, shpesh në zona ku noti është i ndaluar.
Autoritetet kanë kufizuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe sportive për shkak të temperaturave që në disa rajone kanë kaluar mbi 40°C, ndërsa shërbimet e emergjencës kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj të moshuarve dhe personave të izoluar.
Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat kanë filluar të bien gradualisht, duke sjellë lehtësim pas disa ditësh të vështira për pjesën më të madhe të vendit.

