Klubet shqiptare po vazhdojnë të përballen me dënime nga FIFA për shkak të mospagesave të detyrimeve ndaj lojtarëve apo ish-lojtarëve të huaj.
Sipas të dhënave të fundit të konfirmuara nga institucioni që drejton futbollin botëror, numri i rasteve të klubeve shqiptare me masa ndëshkuese ka arritur në 20.
Dënimi më i fundit i është dhënë klubit të Kastriotit, i cili tashmë shkon në tre raste të humbura në gjyqe, me pasojë bllokimin e merkatos. Sipas vendimit, klubi krutan ka pasur më herët dy bllokime për mospagesa dhe tani i është shtuar edhe një rast i ri, duke e lënë pa afat të drejtën për të kryer transferime.
Paralelisht, me merkato të bllokuar nga FIFA janë edhe Tirana, Vllaznia, Skënderbeu, Bylis, Oriku, Valbona, si dhe KS Luftëtari, i cili aktualisht nuk është aktiv në garat zyrtare.
Situata vlerësohet shqetësuese për futbollin shqiptar, pasi tregon një problem të përsëritur financiar dhe organizativ në klubet e kampionatit vendas.
