KF Skënderbeu Korçë është ndëshkuar nga FIFA me një sërë masash disiplinore, pasi ka dështuar për herë të dytë të kalojë procesin e verifikimit pranë “FIFA Clearing House”, institucioni që mbikëqyr kompensimet e formimit dhe solidaritetit në transferimet ndërkombëtare.
Sipas vendimit, klubi korçar është gjobitur me 5,000 dollarë, i është bllokuar merkatoja kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është detyruar të paguajë 2.5% shtesë mbi disa kompensime formimi për disa transferime të mëparshme.
Rasti nuk lidhet me borxhe ndaj lojtarëve apo klubeve të tjera, por me moskalimin e procesit të “Compliance Assessment” pranë FIFA Clearing House, i cili verifikon standardet financiare, ligjore dhe të integritetit të klubeve, përfshirë luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të paligjshëm.
Dështimi i përsëritur në verifikim
FIFA ka konstatuar se Skënderbeu ka dështuar fillimisht në një kontroll të mëparshëm dhe më pas edhe në një verifikim të dytë, duke mos përmbushur kërkesat e sistemit. Klubi nuk ka paraqitur as mbrojtje apo shpjegim brenda afateve të përcaktuara.
Sipas hetimit, çështja lidhet fillimisht me transferimin e lojtarit Sabastine Uche Great, për të cilin ishte i detyrueshëm një kompensim formimi prej 9,041.10 eurosh, si dhe me disa transaksione të tjera ku klubi ishte i përfshirë si blerës dhe si klub formues.
Vendimet kryesore të FIFA-s
Komiteti Disiplinor ka vendosur:
- shpalljen fajtor të klubit për dështim të përsëritur në procesin e verifikimit;
- gjobë prej 5,000 dollarësh;
- bllokim të regjistrimit të lojtarëve në tregun vendas dhe ndërkombëtar;
- qortim zyrtar disiplinor;
- pagesa shtesë prej 2.5% mbi disa kompensime formimi për tetë transferime të ndryshme.
Kur hiqet bllokimi?
Sipas vendimit, bllokimi i merkatos mund të hiqet vetëm nëse klubi:
- kalon me sukses një verifikim të ri të FIFA Clearing House;
- paguan gjobën e vendosur.
Në të kundërt, masat mbeten në fuqi dhe klubi nuk mund të regjistrojë lojtarë të rinj.
FIFA thekson se çdo shkelje e mëtejshme mund të sjellë sanksione shtesë dhe kufizime më të rënda në të ardhmen për klubin korçar.
