Divock Origi ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur në moshën 31-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere që përfshiu periudha të rëndësishme në disa prej klubeve të njohura evropiane.
Ish-sulmuesi belg, i cili ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses së Belgjikës, e bëri të ditur vendimin e tij përmes rrjeteve sociale, ku falënderoi klubet dhe tifozët që e kanë mbështetur gjatë viteve.
Origi kishte kaluar te Milani me pritshmëri të larta, por aventura e tij në klubin kuqezi nuk rezultoi e suksesshme. Ai u përfshi gjithnjë e më pak në planet e ekipit të parë dhe më pas u aktivizua me Milan Futuro, përpara se të mbetej zyrtarisht pa skuadër në janarin e këtij viti.
Sezoni i fundit u karakterizua nga mungesa e aktivizimit dhe një situatë e paqartë sportive, duke çuar në përfundimin e parakohshëm të bashkëpunimit mes palëve.
Më herët, Origi ka qenë pjesë e disa momenteve të rëndësishme në karrierë, veçanërisht gjatë kohës së tij te Liverpool, ku u bë i njohur për golat vendimtarë në ndeshje të mëdha dhe fitoi trofe të rëndësishëm me klubin anglez.
Pas njoftimit të tërheqjes, edhe Liverpool ka reaguar në mënyrë simbolike në rrjetet sociale, duke e falënderuar për kontributin dhe kujtimet e krijuara gjatë periudhës së tij në klub.
Vendimi i Origit shënon mbylljen e një kapitulli në futbollin europian për një lojtar që, pavarësisht ulje-ngritjeve, la gjurmë në disa momente të rëndësishme të karrierës së tij.
POSTIMI I ORIGIT
“Qëllimi im si futbollist është përmbushur. Kam realizuar ëndrrat e fëmijërisë sime. Të luaj në skenat më të mëdha dhe të fitoj trofetë më prestigjiozë. I jam mirënjohës Zotit për gjithçka.
Tifozëve të mi anembanë botës, që më ndihmuan të shkëlqej. Çdo moment i paharrueshëm, çdo gol dhe çdo faqe historie që shkruam së bashku do të na përkasin përgjithmonë.
Çdo klubi ku kam luajtur, si dhe të gjithë trajnerëve dhe bashkëlojtarëve që kanë qenë pranë meje, ju falënderoj. Ju më formësuat në mënyra që shkojnë shumë përtej fushës së futbollit.
Ishte nder dhe kënaqësi të përfaqësoja Belgjikën, vendin tim, duke mbajtur gjithmonë me krenari Kenian, rrënjët e mia. Dhe familjes sime, si edhe njerëzve më të afërt… pa ju nuk do të isha ai që jam sot. Do t’ju jem përjetësisht mirënjohës.
Misioni është përmbushur. Tani po nis një kapitull të ri të jetës sime. Udhëtimi vazhdon… Me dashuri, Divok Origi”.
