Gazeta gjermane Der Spiegel i ka kushtuar një artikull të gjatë protestave që po zhvillohen në Shqipëri, ku prej më shumë se një muaji qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas artikullit, protestat kanë nisur fillimisht kundër projekteve të resorteve luksoze në zonat e Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit, ku përmendet edhe përfshirja e investitorëve ndërkombëtarë, përfshirë Jared Kushner, por më pas janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë politike dhe sociale.
Der Spiegel shkruan se në Tiranë janë zhvilluar marshime të përsëritura, ku mijëra qytetarë kanë shprehur pakënaqësi ndaj qeverisë dhe kanë ngritur akuza për korrupsion dhe ndikim të oligarkëve në vendimmarrje.
Në artikull theksohet gjithashtu se simbol i protestave është bërë flamingoja, si shenjë e mbrojtjes së zonave të lagunës së Nartës dhe Zvërnecit, ku parashikohen investime të mëdha.
Sipas gazetës, protestat kanë bashkuar grupe të ndryshme shoqërore, përfshirë aktivistë mjedisorë, të rinj, pensionistë dhe qytetarë nga diaspora, duke u konsideruar si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare në Shqipëri që nga vitet ’90.
Artikulli ndalet edhe te reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili ka mohuar akuzat për korrupsion dhe ka deklaruar se protestat janë të nxitura nga interesa të jashtme.

