Adrian Bajrami do të rikthehet në futbollin portugez. Mbrojtësi shqiptar ka arritur marrëveshjen për t’u transferuar te Braga, pasi klubi portugez ka mbyllur negociatat me Luzernën.
Sipas raportimeve, kanë mbetur vetëm testet mjekësore dhe prezantimi zyrtar për të finalizuar transferimin e 24-vjeçarit. Bajrami kishte edhe dy vite kontratë me Luzernën, klub që kishte paguar rreth 900 mijë euro për kartonin e tij në janar.
Për mbrojtësin ky është një rikthim në Portugali, ku më parë ishte pjesë e Benfikës. Me ekipin e parë të klubit nga Lisbona ai regjistroi gjashtë paraqitje dhe shënoi një gol.
Karriera e Bajramit mori vëmendje edhe pas vendimit të tij për të mos përfaqësuar më Shqipërinë, ndërsa më pas nuk u përfshi nga Zvicra në skuadrën për Kupën e Botës.
Te Braga, mbrojtësi shqiptar do të nisë një kapitull të ri, me klubin portugez që sezonin e ardhshëm do të garojë edhe në kualifikueset e Ligës së Konferencës.

