Mbledhja e mbrëmshme e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, që në letër duhet të ishte një rifreskim dhe hapje e partisë, në të vërtetë vulosi rënien e saj në një bunkerizim të plotë. Ky proces thjesht konfirmoi se partia po shkon drejt një tkurrjeje të pashmangshme, duke u kthyer në një strukturë të mbyllur që mbron interesat e një grushti njerëzish, në vend që të jetë shpresë për rotacion politik.Ajo që ndodhi në votimin e mbrëmshëm ishte pasqyra më e pastër e kësaj agonie, ku numrat tregojnë qartë skenarin e paracaktuar të kontrollit të plotë:
Sekretar i Përgjithshëm: Flamur Noka u konfirmua në detyrë me 184 vota, duke lënë pas Saimir Korreshin me 84 vota. Zgjedhja e tij tregon se ku synon lidershipi: jo te figura me peshë intelektuale, por te militantizmi i pastër. Noka funksionon si një “shpatë Demokleu” në dorën e Sali Berishës, i gatshëm për të goditur çdo zë kritik apo konkurrent real brenda partisë, duke krijuar një hendek të thellë me bazën e thjeshtë.
Sekretar Organizativ: Klevis Balliu fitoi me 197 vota përballë Agron Lokës me 86 vota.
Burimet Njerëzore: Andi Mustafaj mori 192 vota përballë Mario Runës me 81 vota.
Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore: Marash Logu fitoi bindshëm me 215 vota ndaj Arlind Ahmetajt me 59 vota.
Marrëdhëniet me Publikun: Viola Kapedani mori 131 vota përballë Denisa Keles me 108 vota.
Organizatat Partnere dhe Shoqëria Civile: Eva Metaj siguroi 171 vota ndaj Malvina Likës me 111 vota.
Integrimi Europian: Fjoralba Dizdari mori 172 vota përballë Silva Hasajt me 107 vota.
Emigracioni dhe Diaspora: Ethem Aga fitoi me 209 vota kundrejt Petrit Tafajt me 43 vota.
Digjitalizimi: Etion Kapedani fitoi me 192 vota ndaj Renald Ristës me 61 vota.
Infrastruktura dhe Territori: Gentian Kaprata mori 135 vota në një garë të ngushtë me Maksim Kolën me 129 vota.
Pronat dhe Kundër Korrupsionit: Endira Bushati mori 158 vota përballë Ledina Mandias me 106 vota.
Të Drejtat e Njeriut: Franc Nuri fitoi me 185 vota ndaj Ledio Nurajt me 89 vota.
Të Përndjekurit Politikë: Shkëlkqim Lepenica mori 158 vota përballë Lorenc Lukës me 103 vota.
Pushteti Lokal: Ylli Asllani siguroi 178 vota ndaj Agron Haxhimalit me 78 vota.
Aksioni Qytetar: Erges Eskiu fitoi me 174 vota përballë Jurgen Spahos me 112 vota.
Nënkryetari nga strukturat Belind Këlliçi 177 vota. Luçiano Boçi 113 vota
Nënkryetari nga të rinjtë Xhonatan Pano 101 vota. Nikola Kedhi 174 vota
Nënkryetari nga Diaspora Besa Manaj 69 vota Erisa Bajaziti 193 vota
Komisioni i Apelimit (5 anëtarët më të votuar)
Adriana Kalaja 238 vota Besart Logu 163 vota. Shaqir Manjani 143 vota. Suina Asllanaj 112 vota. Gentian Koçi 104 vota. Ankelita Çela 97 vota. Mark Lleshi 94 vota. Lukas Heirdon 84 vota. Arsen Dushku 58 vota Çajup Shehaj 48 vota
Se sa farsë ishte ky votim, e treguan edhe tensionet e forta në sallë. Zërat kritikë që guxuan të flasin, si ai i Ilirjana Kuçanës që iu drejtua hapur Berishës duke i thënë “ne nuk jemi kartonë, ti ke vendosur për Mulin”, dhe bëri thirrje që anëtarët të mos merrnin porosi nga Noka sepse procesi i “mulizimit” nuk sjell shpresë, zbuluan lakuriqësinë e një procesi të paracaktuar. Por, kjo revoltë e izoluar mbytet shpejt nga makineria e votave të kontrolluara, ku “konkurrentët” thjesht plotësojnë numrat për të legjitimuar skenarin e blindimit të kupolës. Kësaj klime lirie të mbytur i shtohet edhe dyfytyrësia e grupit parlamentar. Publikisht, deputetët bëjnë servilin e radhës nëpër forumet e partisë, duke thurur lavde të patetshme nga frika se mos Noka i ndëshkon duke i lënë jashtë listave për zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo, sapo fiken kamerat dhe ulen nëpër kafe e ambiente private, të njëjtët deputetë bien dakord se Berisha e Noka nuk sjellin më asnjë shpresë dhe nuk e rrëzojnë dot qeverinë. Por, për të mos rrezikuar atë rrogën e majme prej rreth 5 milionë lekësh në muaj, ata preferojnë të ulin kokën, të bëjnë sikur nuk shohin dhe të mbrojnë komoditetin e tyre financiar përpara fatit të opozitës.
Ky izolim i qëllimshëm po e çon PD-në drejt një rruge pa krye. Protestat e fundit e treguan qartë këtë: PD nuk ngjall asnjë frymë, sepse publiku nuk e sheh më këtë ekip si një alternativë reale. Përkundrazi, perceptimi i përgjithshëm sot është se Berisha me ekipin e tij i vjetër apo i ri qoftë po shërbejnë thjesht si “paterica” që mban në pushtet Edi Ramën, duke i garantuar atij një opozitë të dobët, të përçarë dhe të kontrollueshme. Kjo nuk është ripërtëritje, por një vetëshkatërrim i pastër për interesa personale.
Duke uruar suksese jemi në pritjë të fitores së padiskutueshme të Partisë Demokratike (Me këtë kupolë drejtuese është e sigurt një humbje e thellë turpëruese)
By Fakti


