Mesfushori i kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, pritet të ndryshojë skuadër gjatë merkatos së verës, pasi Interi duket i vendosur ta nxjerrë në shitje.
Sipas raportimeve nga Italia, menaxheri i njohur Federico Pastorello u paraqit në selinë e klubit zikaltër për të diskutuar mbi të ardhmen e lojtarit dhe për të shqyrtuar ofertat e mundshme për transferimin e tij.
Klubet italiane e kanë të vështirë të plotësojnë kërkesat financiare të Interit, çka mund të bëjë që zgjidhja të vijë nga kampionate të tjera jashtë Italisë.
Një nga pistat më të përfolura mbetet Arabia Saudite, e cila vitet e fundit është kthyer në një destinacion të rëndësishëm për lojtarët europianë.
Sezonin e kaluar, Asllani u huazua fillimisht te Torino dhe më pas te Beşiktaş. Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të vlerësuara pozitivisht në Turqi, klubi turk nuk pranoi të paguante rreth 11 milionë euro për blerjen përfundimtare të kartonit të mesfushorit shqiptar.
Mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm i Asllanit, por sinjalet e deritanishme tregojnë se e ardhmja e tij pritet të jetë larg kampionatit italian.

