Klubi i KF Teuta Durrës duket se ka arritur një akord paraprak për një përforcim të bujshëm në repartin e sulmit, duke synuar afrimin e sulmuesit nigerian David Ankeye, aktualisht pjesë e Genoa CFC.
Sipas zërave të merkatos, palët kanë arritur marrëveshje me 24-vjeçarin, i cili ndonëse kishte edhe një vit kontratë me klubin italian, është pranë largimit nga Serie A për një aventurë të re në kampionatin shqiptar.
Ankeye ishte transferuar te Genoa nga FC Sheriff Tiraspol në janar të vitit 2024 për një shumë rreth 2.5 milionë euro. Megjithatë, pas disa huazimesh dhe vetëm 10 paraqitjeve me skuadrën italiane, ai nuk arriti të bindë klubin për të vazhduar më tej bashkëpunimin.
Teuta po punon për të finalizuar marrëveshjen, ndërsa klubi durrsak vazhdon të jetë aktiv në merkato me synimin për të forcuar ekipin me emra cilësorë.
Ndërkohë, pista për Dejvi Bregun te Teuta është zbehur, pasi ish-lojtari i Dinamos raportohet se po kërkon një transferim jashtë Shqipërisë, duke lënë hapësirë për alternativa të tjera në sulm.

