Në një atmosferë festive dhe simbolike, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë organizoi një pritje me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.
E Ngarkuara me Punë e ambasadës, VanHorn, vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë dhe vlerat e përbashkëta mbi të cilat mbështetet ky partneritet.
Në fjalën e saj, ajo kujtoi 4 korrikun 1776 si momentin themelor të lindjes së Shteteve të Bashkuara dhe nënvizoi ndikimin global të idealeve të lirisë, barazisë dhe të drejtës për kërkimin e lumturisë.
Diplomatja vlerësoi gjithashtu rrugëtimin e Shqipërisë nga periudha e diktaturës dhe izolimit drejt demokracisë dhe integrimit euroatlantik, duke e cilësuar atë si një histori suksesi të ndërtuar mbi sakrificën dhe vendosmërinë e qytetarëve shqiptarë.
Një pjesë e fjalimit iu kushtua edhe kujtimit të dy punonjësve shqiptarë të Ambasadës Amerikane, Loni Adami dhe Kol Kuqali, të cilët humbën jetën gjatë regjimit komunist pasi refuzuan të dëshmonin kundër SHBA-së. VanHorn theksoi se historia e tyre mbetet simbol i besnikërisë ndaj lirisë dhe miqësisë shqiptaro-amerikane.
Në përmbyllje, ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha si siguria, ekonomia, arsimi dhe demokracia, duke shprehur mirënjohje për të gjithë kontribuesit në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ceremonia u mbyll me një mesazh optimizmi për të ardhmen e partneritetit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë sot më të forta se kurrë.

