“TURNEU I DEMOKRACISË” NË AMSTERDAM/ MAZHORANCË DHE OPOZITË BASHKË NË DIPLOMACINË PARLAMENTARE, POR ME FOTO TË NDARA

“TURNEU I DEMOKRACISË” NË AMSTERDAM/ MAZHORANCË DHE OPOZITË BASHKË NË DIPLOMACINË PARLAMENTARE, POR ME FOTO TË NDARA

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po zhvillon një axhendë intensive të asaj që e cilëson si diplomaci parlamentare, në përpjekje për të bindur partnerët europianë se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur të integrimit, pavarësisht kritikave dhe protestave që zhvillohen në vend.

Deri këtu, nuk do të kishte asgjë të pazakontë. Ajo që bie në sy është prania në këto misione edhe e përfaqësuesve të opozitës.

Nga Austria në Estoni, nga Greqia në Lituani dhe së fundmi në Holandë, delegacionet shqiptare kanë përfshirë vazhdimisht deputetë të Partisë Demokratike. Në turnetë e mëparshëm kanë marrë pjesë emra si Besard Xhaferri, Klodiana Çapja dhe Edmond Haxhinasto me kolegë të tjerë.

Këtë herë, në Amsterdam, Niko Peleshin e shoqërojnë Belind Këlliçi dhe Oerd Bylykbashi, të cilët po kontribuojnë në përfaqësimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Ata udhëtojnë bashkë, marrin pjesë në të njëjtat tryeza dhe zhvillojnë takime të përbashkëta, por kur vjen puna te komunikimi publik, fotot publikohen veçmas.

Ndërsa kryetari i Kuvendit zgjedh të shfaqë të gjithë anëtarët e delegacionit në mesazhet e tij, përfaqësuesit e opozitës nuk e pranojnë hapur se ndajnë këto misione me qeverinë dhe nuk bëjnë transparente qëndrimet që mbajnë në emër të shqiptarëve në forumet ndërkombëtare.

Paradoksi, sipas kritikëve, qëndron në faktin se pasi marrin pjesë në “turnetë e demokracisë”, ku diskutohen standardet europiane dhe përfshirja e opozitës në proceset vendimmarrëse, rikthehen në seancat parlamentare të së enjtes për të akuzuar njëri-tjetrin për mungesë hapësirash demokratike dhe për të denoncuar kufizimin e rolit të opozitës në jetën politike të vendit.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *