MERZ PËRSHËNDET MARRËVESHJEN SHBA-IRAN/ MUND TË STABILIZOJË RAJONIN DHE EKONOMINË BOTËRORE, MACRON KËRKON HAPJEN E PËRHERSHME TË HORMUZIT

MERZ PËRSHËNDET MARRËVESHJEN SHBA-IRAN/ MUND TË STABILIZOJË RAJONIN DHE EKONOMINË BOTËRORE, MACRON KËRKON HAPJEN E PËRHERSHME TË HORMUZIT

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes kornizë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar atë një moment me rëndësi të veçantë për stabilitetin ndërkombëtar dhe duke uruar presidentin amerikan Donald Trump për atë që e quajti një “arritje diplomatike historike”.

“Marrëveshja mund të hapë rrugën për një rimëkëmbje të ekonomisë botërore dhe stabilizimin e rajonit”, deklaroi Merz natën mes të dielës dhe të hënës.

Megjithatë, kreu i qeverisë gjermane theksoi se suksesi i saj do të varet nga zbatimi konkret i angazhimeve të marra nga palët. Ai kërkoi që “ajo që është rënë dakord të zbatohet me vendosmëri”, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të Ngushticës së Hormuzit për ekonominë globale.

Sipas Merz, kjo rrugë detare, jetike për tregtinë ndërkombëtare të naftës dhe gazit të lëngshëm, duhet të “mbetet e hapur në mënyrë të përhershme dhe pa kufizime për lundrimin e lirë”.

Kancelari gjerman shtoi gjithashtu se negociatat e ardhshme duhet të garantojnë që Irani të heqë dorë në mënyrë të verifikueshme nga çdo komponent ushtarak i programit të tij bërthamor.

“Javët në vijim duhet të sigurojnë që Irani ta përfundojë në mënyrë të verifikueshme programin e tij bërthamor ushtarak”, deklaroi ai, duke kërkuar njëkohësisht që të mos ketë më sulme kundër Izraelit dhe vendeve të tjera fqinje në rajon.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron bëri të ditur se çështja do të jetë një nga temat kryesore të samitit të G7, i cili nis të hënën në Evian të Francës.

Në një mesazh video të publikuar në Instagram, Macron tha se liderët e vendeve më të industrializuara do të diskutojnë pasojat e marrëveshjes, mbështetjen për Libanin dhe masat për të garantuar hapjen e përhershme të Ngushticës së Hormuzit.

“Qëllimi do të jetë të shqyrtohen pasojat e kësaj marrëveshjeje, mbështetja për Libanin, rihapja e përhershme e Ngushticës së Hormuzit dhe, natyrisht, përfundimi i një marrëveshjeje për programin bërthamor dhe atë të raketave në Iran”, u shpreh Macron.

Deklaratat e liderëve europianë tregojnë mbështetjen e tyre për procesin diplomatik mes Uashingtonit dhe Teheranit, por edhe kërkesën për garanci konkrete që marrëveshja të sjellë stabilitet afatgjatë në Lindjen e Mesme dhe siguri për ekonominë globale.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *