Ylber Ramadani do të vazhdojë të jetë pjesë e US Lecce, pasi ka firmosur kontratën e re që e mban në klub edhe për një sezon tjetër, siç ishte paralajmëruar më herët.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka zhvilluar një sezon të rëndësishëm në aspektin fizik dhe të qëndrueshmërisë, duke qenë lojtari që ka përshkuar distancën më të madhe në skuadrën e Leçes, ndërsa klubi arriti të sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit italian.
Ramadani iu bashkua Leçes rreth tre vite më parë dhe deri më tani ka regjistruar 104 paraqitje me fanellën e klubit. Me rinovimin e fundit, ai ka shanse të mira që të bëhet një nga lojtarët me më shumë ndeshje në historinë e tij, duke iu afruar apo kaluar rekordin e tij të mëparshëm prej 123 ndeshjesh me Vejle.
Mesfushori 30-vjeçar mbetet një element i rëndësishëm në skemën e Leçes, edhe pse sezoni 2024/25 rezultoi më i vështirë për të në aspektin e minutave, pasi për një periudhë humbi vendin e titullarit, përpara se të rikthehej gradualisht në rotacion.
