Arbitri somalez Omar Abdulkadir Artan, i cili ishte parashikuar të bëhej gjyqtari i parë nga Somalia që do të gjykonte në fazën finale të një Kupe Bote, është hequr nga lista zyrtare e arbitrave të Botërorit 2026.
Sipas raportimeve, Artan është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Majamit dhe më pas është kthyer në Turqi, pasi autoritetet amerikane i kanë refuzuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Deri më tani nuk është dhënë një shpjegim zyrtar për vendimin, megjithëse Somalia figuron në listën e vendeve me kufizime udhëtimi nga autoritetet amerikane.
Arbitri, i shpallur më herët si “Arbitri më i mirë afrikan i vitit 2025” nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF), nuk do të mund të marrë pjesë në përgatitjet dhe ndeshjet e turneut, sipas konfirmimit të FIFA-s.
Në deklaratën e saj, FIFA bëri të ditur se organizata nuk ka kompetenca në proceset e vizave dhe emigracionit të vendeve pritëse dhe se vendimi përfundimtar i takon shtetit organizator.
“Si në aktivitetet e mëparshme të FIFA-s, është qeveria e vendit pritës ajo që vendos përfundimisht se kush merr vizë dhe kush lejohet të hyjë në territorin e saj”, thuhet në reagimin zyrtar.
Ngjarja ka ngjallur reagime në komunitetin sportiv ndërkombëtar, duke hedhur diskutime mbi ndikimin e politikave të emigracionit në pjesëmarrjen në evente globale sportive.
