Kristjan Asllani është rikthyer në Itali dhe është sërish pjesë e Inter, pasi Beşiktaş nuk ushtroi të drejtën e blerjes së kartonit të mesfushorit shqiptar në përfundim të sezonit.
Megjithatë, sipas mediave italiane, e ardhmja e lojtarit nga Elbasani duket larg Milanos. Drejtuesit zikaltër po shqyrtojnë mundësinë e një transferimi përfundimtar gjatë merkatos së verës, ndërsa interesimi për të pritet të rritet në javët e ardhshme.
Sezoni i fundit konsiderohet ndër më të vështirët në karrierën e Asllanit. Mesfushori nisi kampionatin te Torino, ku arriti të bindte me paraqitjet e para, por me kalimin e muajve humbi hapësirat dhe nuk ishte më pjesë e planeve të klubit. Një situatë e ngjashme u përsërit më pas edhe te Beşiktaş, ndonëse mediat turke raportuan se vendimi për të mos e blerë lidhej më shumë me aspektin financiar sesa me performancën sportive të lojtarit.
Klubi turk kishte mundësinë të blinte kartonin e Asllanit për 11.5 milionë euro, por e konsideroi këtë shumë të lartë dhe vendosi të mos e aktivizonte opsionin e blerjes.
Sipas raportimeve në Itali, edhe Interi tashmë është i vetëdijshëm se do ta ketë të vështirë të arkëtojë shumën e parashikuar fillimisht për shqiptarin. Për këtë arsye, drejtuesit zikaltër janë të gatshëm të ulin kërkesat financiare dhe të dëgjojnë oferta në vlerën e rreth 10 milionë eurove.
Shuma e përfituar nga shitja e mundshme e Asllanit do të përdorej për të financuar lëvizjet e tjera në merkato, ndërsa mesfushori shqiptar mbetet në kërkim të një projekti të ri ku mund të gjejë më shumë vazhdimësi dhe hapësira në fushën e lojës.
Për momentin, e ardhmja e Kristjan Asllanit mbetet e hapur, ndërsa merkatoja e verës pritet të japë përgjigjen përfundimtare mbi destinacionin e radhës të futbollistit të Kombëtares shqiptare.
