Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj dhe Taulant Seferi, ndodhen në Tiranë në kuadër të grumbullimit të ekipit kombëtar për dy ndeshjet miqësore që Shqipëria do të zhvillojë javën e ardhshme nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran.
Megjithatë, përpara nisjes së përgatitjeve për këto sfida, mbrojtësi i Kombëtares është përballur me një situatë të pakëndshme në kryeqytet. Sipas pamjeve që qarkulluan në rrjet automjeti i Elseid Hysajt është ndaluar nga efektivët e Policisë Rrugore, të cilët i kanë vendosur një masë administrative për tejkalim të shpejtësisë së lejuar në një zonë të banuar.
Në automjet ndodhej edhe sulmuesi Taulant Seferi, i cili po udhëtonte së bashku me Hysajn në momentin e ndalimit nga patrulla e policisë.
Pamjet tregojnë futbollistin teksa bisedon me efektivin e Rrugores për të sqaruar rrethanat e rastit, por pavarësisht komunikimit mes palëve, masa administrative nuk është shmangur dhe gjoba është vendosur sipas procedurave ligjore.
Ngjarja vjen në prag të angazhimeve të radhës të Kombëtares shqiptare, e cila po përgatitet për ndeshjet miqësore nën drejtimin e stafit të ri teknik.
