Një deklaratë e bërë sot nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka nxitur reagime dhe pikëpyetje të forta lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD-së.
I pyetur për shkeljen e statutit dhe për faktin që lista e kandidatëve për Këshillin Kombëtar u publikua vetëm ditën e votimit, Berisha zgjodhi të fajësojë 77 degët e Partisë Demokratike, duke pretenduar se emrat ishin propozuar prej tyre
Por përballë këtij pretendimi, Fakti News ngre një sfidë publike ndaj kryesisë së Partisë Demokratike dhe vetë Sali Berishës: të bëjnë publik qoftë edhe një dokument të vetëm zyrtar që provon se 77 degët e PD-së kanë propozuar kandidatët e shpallur për Këshillin Kombëtar.
Sipas informacioneve nga gazetarët tanë pjesa më e madhe e emrave nuk janë produkt i një procesi të hapur dhe transparent në bazë, por propozime personale të deputetëve të Partisë Demokratike. Ndërkohë, një pjesë tjetër e kandidatëve, sipas burimeve të brendshme, janë përzgjedhur për shkak të lidhjeve të afërta me zyrtarë të PD-së ose për shkak të marrëdhënieve familjare me figura të njohura të partisë.
Kjo ka ngritur shqetësime serioze mbi respektimin e statutit, meritokracinë dhe përfaqësimin real të demokratëve në strukturat drejtuese të forcës më të madhe opozitare në vend.
Pikërisht për këtë arsye, Fakti News e përsërit sfidën ndaj Berishës: të publikojë dokumente, procesverbale, propozime apo çdo shkresë zyrtare që vërteton se 77 degët e Partisë Demokratike kanë propozuar kandidatët e përfshirë në listën e Këshillit Kombëtar.
Nëse një dokument i tillë nuk ekziston, atëherë pretendimi i bërë publikisht nga Berisha rezulton i pavërtetë. Në këtë rast, ai duhet t’u kërkojë ndjesë demokratëve dhe gjithë shqiptarëve për një deklaratë që, sipas kritikëve, synon të fshehë përgjegjësinë politike për një proces të kontestuar dhe të mungesës së transparencës.
Debati mbi mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve dhe anëtarëve të strukturave të Partisë Demokratike pritet të vazhdojë, ndërsa demokratët presin përgjigje të qarta dhe prova konkrete për pretendimet e bëra nga drejtuesit e partisë.
