Dronë të nisur nga Rusia kanë sulmuar tre anije tregtare që lundronin në korridorin e eksportit të Ukrainës në Detin e Zi, vonë të enjten në mbrëmje dhe gjatë natës, ka bërë të ditur zëvendëskryeministri ukrainas, Oleksi Kuleba.
Sipas tij, sulmet shkaktuan zjarre në bordet e anijeve, të cilat u shuan nga vetë ekuipazhet përpara se situata të vihej nën kontroll. Autoriteti portual i Ukrainës njoftoi se anijet e goditura lundronin nën flamujt e Vanuatu, Komoreve dhe Panamasë.
Ndërkohë, Marina e Ukrainës bëri të ditur më herët se një nga objektivat ishte edhe anija “Ant”, një anije mallrash në pronësi turke me flamur të Vanuatu-s, e cila po udhëtonte drejt Turqisë nga një prej porteve të rajonit të Odesës.
Sipas njoftimeve, sulmi shkaktoi zjarr në bord dhe çoi në evakuimin e dy anëtarëve të ekuipazhit, të cilët mbetën të plagosur. Marina ukrainase shtoi se anija po transportonte ngarkesë në momentin e goditjes.
