Lot, emocione dhe trofe për Cristiano Ronaldo. Ylli portugez vijon të sfidojë moshën dhe rekordet, duke udhëhequr Al Nassr drejt titullit kampion në Arabinë Saudite, trofeu i parë për CR7 që pas largimit nga Evropa.
Në javën e fundit të sezonit, Al Nassr triumfoi me rezultatin 4-1 ndaj Damac, duke bërë të pavlefshëm suksesin e Al Hilal të drejtuar nga Simone Inzaghi, rivalit kryesor në garën për titull.
Sadio Mane dhe Kingsley Coman realizuan dy golat e parë për Al Nassr, ndërsa Damac rihapi përkohësisht ndeshjen me një penallti në minutën e 58-të.
Më pas skena iu takoi sërish Ronaldos. Në minutën e 63-të, portugezi realizoi një supergol nga goditja e dënimit, ndërsa në minutën e 81-të shfrytëzoi një top të mbetur në zonë për të vulosur “dopietën” personale dhe “pokerin” e Al Nassr.
Me këtë dygolësh, Cristiano Ronaldo ngjitet në kuotën e 973 golave në karrierë, duke konfirmuar edhe një herë se mbetet një makineri rekordesh.
