Ferrari e kishte nisur në mënyrë mbresëlënëse sezonin 2026 të Kampionatit Botëror të Formula 1, me nisjet e forta të Sharls Lëklerkut dhe Ljuis Hamiltonit, të cilët shpesh arrinin të merrnin kryesimin menjëherë pas kthesës së parë.
Avantazhi i Ferrarit vinte si rezultat i një zgjidhjeje teknike që kishte arritur të kapërcente një nga problemet kryesore të njësive të reja të fuqisë. Por ky përfitim rrezikon të zbehet pas ndryshimeve të fundit në rregullore të vendosura nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit.
Para Çmimit të Madh të Australisë, FIA vendosi një procedurë të re nisjeje, duke shtuar pesë sekonda shtesë para ndezjes së semaforëve. Kjo u jep skuadrave më shumë kohë për të sjellë turbokompresorin në presion optimal, çka favorizon edhe ekipet që përdorin turbokompresorë më të mëdhenj dhe më efikasë.
Vendimi ka shkaktuar reagimin e ashpër të drejtuesit të Ferrarit, Frederik Vasër, i cili e konsideron ndryshimin të padrejtë për skuadrën italiane.
“Ajo që ndodhi është e padrejtë ndaj Ferrarit. Skuadrat e tjera nuk janë sjellë në mënyrë korrekte”, deklaroi Vasër.
Sipas tij, ndryshimi i rregullores dëmton drejtpërdrejt avantazhin teknik që Ferrari kishte ndërtuar në nisje.
“Pa dyshim, ky ishte vendimi më i pafavorshëm për ne. Por nuk mund të bëja shumë. Kur bëhet fjalë për sigurinë, vendimi i takon vetëm FIA-s”, u shpreh ai.
Vasër shtoi gjithashtu se, sipas tij, nëse situata konsiderohej aq e rrezikshme sa pretendohej, atëherë skuadrat që kishin probleme mund të ishin detyruar të niseshin nga bokset, në vend që të ndryshohej procedura për të gjithë garën.
