UASHINGTON – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se nuk është i sigurt nëse do të arrihet së shpejti një marrëveshje me Iranin, duke lëshuar një paralajmërim të prerë ndaj Teheranit zyrtar. Në një intervistë telefonike për median franceze BFMTV, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh skeptik por i prerë mbi ecurinë e bisedimeve.“Nuk kam asnjë ide nëse do ta bëjnë. Nëse nuk e bëjnë, do të kenë një kohë shumë të keqe, një kohë shumë të keqe. Më mirë të bëjnë një marrëveshje”, ka thënë Trump, duke rritur presionin diplomatik mbi Republikën Islamike.Tensionet në rajonin e Lindjes së Mesme mbeten tejet të larta që prej 28 shkurtit, periudhë kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën sulme ushtarake ndaj Iranit. Ky operacion shkaktoi një valë kundërpërgjigjej nga Teherani, i cili sulmoi Izraelin dhe aleatët amerikanë në vendet e Gjirit, duke e përkeqësuar situatën edhe më tej me bllokimin e Ngushticës strategjike të Hormuzit.Edhe pse një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, bisedimet e zhvilluara në Islamabad dështuan të siguronin një marrëveshje të qëndrueshme paqeje. Pas këtij ngushtimi të rrugëve diplomatike, Presidenti Trump vendosi ta zgjasë armëpushimin për një periudhë të pacaktuar, por duke mbajtur në fuqi bllokadën e rreptë detare ndaj të gjitha anijeve që lëvizin drejt ose nga portet iraniane përmes kësaj rruge kyçe ujore.

