ODIHR REKOMANDON FORCIM TË KONTROLLIT DHE SANKSIONE MË TË ASHPRA PËR FINANCIMIN E PARTIVE POLITIKE

ODIHR REKOMANDON FORCIM TË KONTROLLIT DHE SANKSIONE MË TË ASHPRA PËR FINANCIMIN E PARTIVE POLITIKE

ODIHR i ka dorëzuar opinionin urgjent Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore lidhur me projektligjin për financimin e partive politike, duke kërkuar rritje të transparencës, kontrollit dhe mekanizmave kundër shmangies së rregullave.

Në raport theksohet se boshllëqet ligjore në fusha si huatë, financimi nga palë të treta dhe zbatimi i ligjit mund të krijojnë hapësira për abuzime dhe të cenojnë efektivitetin e sistemit, ndaj rekomandohet harmonizimi i plotë i projektligjit me kuadrin ekzistues për financimin politik.

Një nga pikat kryesore lidhet me transparencën e donatorëve. ODIHR kërkon ndalimin e donacioneve në emër të personave të tretë, si dhe deklarimin e plotë të identitetit, profesionit dhe pronësisë përfituese të kompanive që financojnë partitë politike.

Raporti sugjeron gjithashtu rregullim të plotë të huave për partitë, përfshirë kufij, burime të lejuara, garanci dhe deklarim të detajuar në bilancet financiare, si dhe monitorim më të fortë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në lidhje me financimin publik, ODIHR kërkon kritere të qarta për shpërndarjen e fondeve dhe rregulla më të sakta për aksesin e partive në mediat publike gjatë fushatave.

Po ashtu, rekomandohet publikim i shpejtë dhe afatgjatë i raporteve financiare, si dhe krijimi i një sistemi elektronik raportimi për rritjen e transparencës.

ODIHR thekson edhe nevojën për forcimin e rolit të KQZ-së, qartësimin e kompetencave hetimore dhe përmirësimin e aksesit publik në të dhënat për financimin e partive.

Sa i përket sanksioneve, sugjerohet ashpërsim i gjobave për shkeljet dhe vendosja e penaliteteve për çdo formë financimi të parregullt.

Sipas ODIHR, suksesi i reformës do të varet nga kapacitetet financiare, njerëzore dhe hetimore që do t’i vihen në dispozicion institucioneve përgjegjëse.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *