Mali i Zi ka bërë një hap të ri drejt Bashkimit Europian, pasi ambasadorët e BE-së miratuan krijimin e një “Ad Hoc Working Group” që do të merret me hartimin e detajeve ligjore të traktatit të pranimit të vendit në union.
Sipas Politico, grupi do të përbëhet nga përfaqësues të shteteve anëtare dhe do të zhvillojë takime të rregullta për të avancuar procesin teknik dhe juridik të anëtarësimit.
Një zëdhënës i presidencës qipriote të BE-së e cilësoi vendimin si një sinjal pozitiv për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se zgjerimi mbetet një objektiv real për vendet aspirante.
Deri më tani, Mali i Zi ka mbyllur 14 nga 33 kapitujt negociues, ndërsa sfida kryesore mbeten reformat në sundimin e ligjit dhe drejtësi.
Mali i Zi ka status kandidat që prej vitit 2010 dhe ka nisur negociatat e anëtarësimit në 2012, me synimin për t’u bashkuar me BE-në deri në vitin 2028.
