Raporti i vlerësimit të piketave të ndërmjetme për Shqipërinë, i njohur si IBAR, nuk është miratuar as në mbledhjen e fundit mes përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Ky dokument konsiderohet një nga elementët më të rëndësishëm në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pasi lidhet drejtpërdrejt me Kapitujt 23 dhe 24, të cilët përfshijnë sundimin e ligjit, pavarësinë e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimin e të drejtave themelore.
Sipas burimeve nga procesi, mungesa e miratimit sugjeron se vendet anëtare nuk janë plotësisht të bindura për përmbushjen e të gjitha kushteve nga Shqipëria në këtë fazë të negociatave. Si pasojë, procesi i avancimit drejt mbylljes së kapitujve mund të ngadalësohet, duke e mbajtur vendin në një fazë pritjeje deri në mbledhjet e radhës të parashikuara më 19 dhe 22 maj.
Debati mbi integrimin evropian vijon të mbetet i fortë edhe në politikën e brendshme shqiptare. Mazhoranca këmbëngul se kriteret janë përmbushur dhe synon mbylljen e kapitujve negociues brenda vitit 2027, ndërsa opozita e lidh mungesën e progresit me zhvillimet politike dhe çështje të drejtësisë në vend.
