Janë zbardhur amendamentet e propozuara nga Partia Socialiste për ndryshimin e Kodit Rrugor, të depozituara nga deputetët Ulsi Manja dhe Erion Braçe, të cilat synojnë ashpërsimin e masave ndaj shkeljeve rrugore dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Ndryshimet parashikojnë masa të reja për drejtuesit e mjeteve, me fokus të veçantë te shoferët e rinj, drejtimi pa leje dhe përdorimi i alkoolit në timon.
Sipas propozimeve, çdo person që kapet duke drejtuar mjetin pa patentë nuk do të ketë të drejtë të pajiset me leje drejtimi për një periudhë njëvjeçare, përveç përgjegjësive penale që parashikon ligji në fuqi. Për të miturit që kapen në këtë shkelje, leja e drejtimit do të mund të merret vetëm pas mbushjes së moshës 20 vjeç, dhe jo në 18 vjeç siç është aktualisht.
Për drejtuesit e rinj të mjeteve parashikohet “tolerancë zero” ndaj alkoolit gjatë vitit të parë të pajisjes me patentë, si dhe kufizime shtesë për qarkullimin gjatë natës. Sipas draftit, shoferët me deri në dy vite eksperiencë nuk do të lejohen të drejtojnë automjetin nga ora 24:00 deri në 06:00 pa praninë e një personi të rritur me të paktën tre vite patentë. Në rast se nuk kryhen shkelje gjatë një viti, kufizimet hiqen automatikisht, ndërsa nëse regjistrohen dy shkelje, periudha e provës zgjatet me një vit tjetër.
Amendamentet prekin gjithashtu edhe kufijtë e shpejtësisë, duke propozuar 90 km/h në autostrada dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara.
Për shkeljet e parashikuara vendosen gjoba nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim patente për një muaj dhe heqje pikësh sipas legjislacionit në fuqi. Një tjetër ndryshim është ndalimi i përdorimit të celularit gjatë drejtimit të biçikletave dhe motorëve elektrikë.
Ndërkohë, për drejtuesit që kapen me mbi 0.5 gram/litër alkool në gjak dhe që janë përsëritës të kësaj shkeljeje, propozohet edhe heqja përfundimtare e lejes së drejtimit.
