Xhulia Imperio po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në arenën sportive italiane dhe ndërkombëtare, jo vetëm për rezultatet e saj në peshëngritje, por edhe për praninë e fortë në rrjetet sociale, ku numëron rreth 750 mijë ndjekës në Instagram.
Sportistja italiane është kthyer në një nga figurat më të ndjekura të disiplinës së saj, duke kombinuar performancën sportive me një imazh publik që ka rritur interesin për peshëngritjen edhe tek publiku i gjerë.
Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Imperio ka folur edhe për rolin e saj në ndryshimin e perceptimeve mbi këtë sport:
“Unë pioniere? Nëse mund të jem një pikë referimi, po. Dua ta tregoj këtë sport ashtu siç është në të vërtetë. Nuk është ‘sport mashkullor’. Në Kampionatin Europian ishim më shumë gra sesa burra,” – u shpreh ajo.
Me sukseset e saj dhe prezencën e fortë në skenën publike, Imperio po shihet si një nga figurat që po ndihmon në thyerjen e stereotipeve gjinore në sportin e peshëngritjes në Itali dhe më gjerë.
