Në strukturat e Partisë Demokratike në Korçë është ndërprerë procesi i votimi të brendshëm për Kryetar, pas disa problemeve dhe tensioneve të raportuara gjatë zhvillimit të tij.
Sipas informacionit të bërë publik nga pjesëmarrës në proces, votimi ka nisur normalisht dhe pa probleme. Megjithatë, pas rreth 20 minutash janë konstatuar vështirësi lidhur me listat e votimit në Njësinë Administrative Drenovë, ku disa anëtarë të PD-së nuk figuronin në listë dhe për rrjedhojë nuk janë lejuar të votojnë. Kjo situatë ka shkaktuar debate mes anëtarëve të komisionit.
Më tej, gjatë tensioneve të krijuara, një zonjë, anëtare e një nga dy komisionet e votimit është konstatuar duke plotësuar fletë votimi në favor të një prej kandidatëve, gjë që ka përshkallëzuar më tej situatën dhe ka sjellë ndërprerjen e procesit.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se procesi ka qenë i orientuar në favor të një kandidati të mbështetur nga drejtues të PD-së në Tiranë, pretendim i cili ka rritur më tej pakënaqësitë mes pjesëmarrësve.
Si pasojë e situatës së krijuar, z. Arben Ibroja dhe z. Bujar Vukaj raportohet se kanë vendosur të mbyllin procesin dhe janë larguar nga selia, duke lënë demokratët e Korçës pa mundësi votimi.
Ngjarja ka ngjallur reagime dhe është interpretuar nga disa pjesëmarrës si shenjë e problemeve në organizimin dhe menaxhimin e procesit nga strukturat drejtuese të PD Tiranë, drejtuesit politik Z. Ivi Kaso dhe Sekretarit të Përgjithshëm Z. Flamur Noka, të cilat kishin marrë përsipër garantimin e zhvillimit të rregullt të votimit.
Pritet që në vijim të ketë qëndrime zyrtare nga përfaqësues të Partisë Demokratike lidhur me situatën e krijuar.
