Korçë – Procesi zgjedhor për drejtimin e degës së Partisë Demokratike në Korçë është mbyllur ende pa nisur siç duhet, mes tensioneve dhe akuzave për manipulim.
Sipas burimeve nga terreni, drejtuesit e komisioneve të dërguar nga strukturat qendrore në Tiranë, Z. Arben Ibroja dhe Z. Bujar Vukaj, nuk kanë arritur të menaxhojnë një proces të rregullt dhe transparent.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga anëtarët është mungesa e emrave në listat e votimit, çka ka lënë jashtë procesit një numër të konsiderueshëm demokratësh.
Situata është përshkallëzuar më tej pas raportimeve se një përfaqësuese e një nga komisionet është kapur në flagrancë duke mbushur kutitë e votimit me vota në favor të njërit prej kandidatëve, duke hedhur dyshime të forta mbi integritetin e procesit.
Përballë këtyre zhvillimeve, procesi është ndërprerë, ndërsa pritet një reagim dhe vendimmarrje nga strukturat drejtuese të Partisë Demokratike në Tiranë për zbardhjen e ngjarjes dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm.
