TRUMP KRIJON “SUPER INTELLIGENCE FORCE”, JAY CLAYTON DO TË DREJTOJË GRUPIN E RI PËR INTELIGJENCËN ARTIFICIALE

TRUMP KRIJON “SUPER INTELLIGENCE FORCE”, JAY CLAYTON DO TË DREJTOJË GRUPIN E RI PËR INTELIGJENCËN ARTIFICIALE

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar krijimin e një grupi të ri pune të fokusuar te inteligjenca artificiale, të cilin e ka quajtur “Super Intelligence Force”.

Grupi do të drejtohet nga Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, dhe do të ketë për detyrë të koordinojë përpjekjet e qeverisë amerikane për zhvillimin e teknologjive të avancuara dhe ruajtjen e avantazhit të SHBA-së në këtë sektor.

Sipas Trump, “Super Intelligence Force” do të bashkërendojë angazhimin e qeverisë federale me konsumatorët, grupet e interesit publik, organizatat fetare, ofruesit e infrastrukturës kritike dhe kompanitë e teknologjisë.

Në grup do të marrin pjesë edhe kryetari i Komisionit Federal të Tregtisë, Andrew Ferguson, zyrtari i lartë i Pentagonit për kërkimin dhe inxhinierinë, Emil Michael, si dhe drejtori i Zyrës së Menaxhimit të Personelit, Scott Kupor. Taskforca do t’i raportojë drejtpërdrejt presidentit Trump dhe shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles.

Krijimi i grupit vjen vetëm pak ditë pasi Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që i kërkon administratës federale të përdorë termat “Super Intelligence” dhe “SI” në vend të “Artificial Intelligence” dhe “AI” në komunikimet, dokumentet dhe materialet zyrtare të ekzekutivit.

Sipas administratës amerikane, ndryshimi synon të pasqyrojë zhvillimin e shpejtë të teknologjive të reja dhe potencialin e tyre në fusha si shkenca, mjekësia, energjia dhe ekonomia.

Jay Clayton, i cili mori drejtimin e komunitetit amerikan të inteligjencës në gusht, do të ketë tashmë edhe rolin e drejtimit të strategjisë së administratës për inteligjencën artificiale. Taskforca pritet të shqyrtojë rreziqet dhe mundësitë e teknologjisë dhe të përcaktojë rolin e qeverisë federale në zhvillimin e saj.

Nisma vjen në një periudhë kur në SHBA po intensifikohet debati mbi sigurinë, rregullimin dhe ritmin e zhvillimit të inteligjencës artificiale. Administrata Trump ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidershipit amerikan në këtë sektor, ndërsa kompanitë e mëdha të teknologjisë po përballen me kërkesa në rritje për standarde më të qarta sigurie.

Krijimi i “Super Intelligence Force” shënon një tjetër hap të administratës amerikane drejt përfshirjes më të drejtpërdrejtë të qeverisë në zhvillimin dhe koordinimin e politikave për teknologjitë e avancuara.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *