Kristjan Asllani vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes në merkato, me Beshiktashin që synon rikthimin e tij pas huazimit të mëparshëm në klubin turk.
Drejtuesit e Beshiktashit nuk kanë hequr dorë nga ideja për ta mbajtur përfundimisht mesfushorin shqiptar dhe pritet të rikthehen në negociata me Interin me një ofertë të re gjatë kësaj vere.
Sipas mediave turke dhe italiane, pengesa kryesore në bisedime mbetet vlerësimi financiar i lojtarit. Interi e çmon kartonin e Asllanit rreth 11 milionë euro, ndërsa Beshiktashi e konsideron këtë shifër të lartë dhe po kërkon kushte më fleksibël për një marrëveshje.
Interi, nga ana tjetër, synon të përfitojë nga shitja e mesfushorit shqiptar për të financuar afrime të reja në repartin e mesfushës, duke e konsideruar vendimin për të ardhmen e tij si pjesë të riorganizimit të skuadrës për sezonin e ri.
Sipas “Tuttosport”, Beshiktashi është gati të rihapë zyrtarisht dosjen Asllani sapo të krijohen kushtet e duhura për transferim, ndërsa e ardhmja e 24-vjeçarit do të varet edhe nga planet taktike të Interit.
Nëse nuk do të ketë hapësira të mjaftueshme në skuadrën zikaltër, një transferim i përhershëm drejt Turqisë mbetet një opsion real.
Në garë për shërbimet e tij është rikthyer edhe Kaljari, i cili kishte shfaqur interes më herët, por ishte tërhequr për shkak të kërkesës së lartë financiare të Interit. Klubi sard raportohet se po e rishqyrton mundësinë për ta rikthyer në Serie A, duke shpresuar në një ulje të pretendimeve ekonomike ose një formulë më të favorshme transferimi.
Me dy klube të interesuara dhe me vendimin e Interit ende të paqartë, javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e mesfushorit të Kombëtares shqiptare.

