Sulmuesi Dejvi Bregu është rikthyer në qendër të vëmendjes së merkatos shqiptare, me një lëvizje të mundshme që pritet të konkretizohet në ditët në vijim.
Sipas raportimeve të “Panorama Sport”, lojtari i FC Dinamo City pritet të zyrtarizohet te KF Teuta Durrës, duke u bërë një nga afrimet më të rëndësishme të klubit durrsak për sezonin e ri.
Fillimisht ishte raportuar se Bregu kishte rinovuar kontratën me Dinamon, por më pas u bë e ditur se 30-vjeçari nga Vlora nuk kishte marrë ende një vendim përfundimtar, duke qenë në pritje të ofertave në muajin e fundit të kontratës së tij.
Teuta, e drejtuar nga trajneri Edlir Tetova, po punon për ndërtimin e një skuadre konkurruese për sezonin e ardhshëm dhe Bregu shihet si një përforcim kyç në repartin ofensiv.
Ndërkohë, në Durrës deri tani është zyrtarizuar vetëm afrimi i Abdurraman Fangaj, ndërsa klubi vijon të jetë aktiv në merkato për të plotësuar organikën.
Sipas të njëjtave burime, Teuta mbetet gjithashtu në garë për të siguruar edhe shërbimet e Sherif Kallakut, pavarësisht interesimit dhe deklaratave për rinovim nga KF Vllaznia Shkodër.

