Spanja nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen e saj të parë në Botëror ndaj Kepit të Gjelbër, duke lënë dy pikë të rëndësishme që në start të turneut.
Takimi nisi me ritëm të lartë, me skuadrën e drejtuar nga Luis de la Fuente që u hodh menjëherë në sulm në kërkim të golit. Spanjollët krijuan disa raste të pastra, por mungesa e saktësisë në finalizim u bë pengesë për kalimin në avantazh.
Rasti më i mirë i pjesës së parë erdhi në fund të fraksionit, kur Ferran Torres gaboi në një situatë të pastër shënimi, duke goditur shtyllën dhe duke shpërdoruar mundësinë për të zhbllokuar rezultatin.
Në pjesën e dytë, Spanja shtoi presionin dhe bëri disa ndryshime për të rritur intensitetin në sulm, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Nga ana tjetër, Kepi i Gjelbër u mbrojt me disiplinë dhe tentoi disa kundërsulme, duke vënë në vështirësi kampionët e Europës në disa momente të ndeshjes.
Ndeshja u mbyll 0-0, një rezultat që konsiderohet zhgënjyes për Spanjën, ndërsa për Kepin e Gjelbër ky barazim u prit si një sukses i madh në nisjen e aventurës së tyre në Botëror.

